
Nga kasat prej alumini te ekranet me rezolucion të lartë, MacBook ka ndikuar në projektimin e laptopëve gjatë dy dekadave të fundit. Rruga nisi me Macintosh Portable më 1989, një pajisje e shtrenjtë që dështoi shpejt, dhe vijoi me familjet PowerBook e iBook, përpara prezantimit të MacBook Pro në vitin 2006.
Kalimi nga procesorët PowerPC tek Intel, i njoftuar më 2005, e vendosi Apple në konkurrencë të drejtpërdrejtë me prodhuesit e PC-ve që përdornin të njëjtët çipa Intel Core Duo. MacBook Pro dhe MacBook sollën dizajne më të rafinuara në një treg ku shumica e rivalëve përqendroheshin te funksionaliteti.
Kasat «unibody», të gdhendura nga një bllok i vetëm alumini, vendosën standarde të reja për qëndrueshmërinë, peshën dhe pamjen. Rivalët patën vështirësi t’i kopjonin, pjesërisht për shkak të kontrollit të Apple mbi zinxhirin e furnizimit. Razer Blade, Dell XPS 13 dhe nisma Ultrabook e Intel shënuan më pas afrimin e industrisë me këtë qasje.
MacBook Air nxiti zhvillimin e laptopëve ultraportativë, ndërsa ridizajnimi i vitit 2010 krijoi më shumë hapësirë për bateri dhe SSD. Ekrani Retina i MacBook Pro më 2012 përshpejtoi garën për rezolucion më të lartë. Megjithatë, Apple pati edhe hapa të gabuar, si performanca e dobët e Air të parë dhe heqja e portave të rëndësishme nga MacBook Pro.
Burimi: Engadget — lexoni artikullin e plotë në anglisht.

